Si ta pushtoni ta mbani dhe ta humbni një mashkull

Kthehu mbrapa…

A ju kujtohet se sa e sa herë, në gjendje depresioni, jeni betuar se kurrë më s’do të dashuroheni dhe as që do t’ia lejoni vetes më që ndonjëri nga krijesat e botës së madhërishme t’ju prishë harmoninë dhe baraspeshën e disponimit tuaj. Megjithatë, edhe pas të gjitha atyre betimeve të mëdha që i bëtë se një çmenduri e tillë s’guxon t’ju ndodh më, pas kalimit të një periudhe kohore, atëherë edhe kur është vonë, me pikëllim konstatoni se përsëri, për fat të keq, ju ndodhi e njëjta gjë.

Po që se këto lloje të dështimeve janë bërë pjesë përbërëse e jetës suaj, atëherë ju mbetet të bëheni më të kujdesshëm, të shikoni gjithnjë rrotull, sepse mund t’ju kërcënohet rreziku se mund ta humbni edhe atë pak vetëbesim të luhatshëm që ju ka ngelur.

Si duhet larguar?

Do të duhej të jetë e dëshirueshme që për një periudhë (pak më të gjatë) kohore t’iu largoheni plotësisht kontakteve, dhe duhet pasur gjithmonë në mendje se ato kontakte paraqesin rrezikun latent. Për atë arsye, kur jeni në shoqëri me mashkullin, nuk preferohen bisedat e gjata dhe “interesante”, madje edhe në takimet e shkurta, sepse në përjashtim të disave, me siguri nuk do të dëgjoni asgjë të mençur, edhe pse ndoshta interesante. Në punë lidhjet duhen të vendosen në nivelin dhe karakterin “vetëm biznes” dhe nuk duhet lejuar që bisedat e “zanatit” të marrin kahe tjetër. Duhet, edhe atë me mjeshtri dinake, që të bishtërohen kontaktet miqësore – janë të rrezikshme. Kjo ngase pas një kohe, edhe atë tejet të shkurtër, mund të vëreni se kolegu juaj, edhe pas të gjitha mirëkuptimeve për problemet tuaja, paska zë të jashtëzakonshëm, buzëqeshje të butë, shikim ashtu ledhatues, dhe ndoshta edhe duar të bukura. Po sikur ta lëshoni edhe imagjinatën të bëjë sipas qejfit, dhe po sikur t’i mendoni ato duar të tij se si ju ledhatojnë, dijeni se edhe kësaj radhe keni humbur, edhe pse vetes kursesi s’mund t’ia pranoni këtë, pra, edhe pas të gjitha atyre betimeve që i keni dhënë në fillim, dështuat.

Si ta pushtoni?

Nuk duhet t’ju lëkund vetëbesimin e vërteta e hidhur që e keni përjetuar në rrafshin emocional. Përkundrazi, ajo përvojë duhet t’ju japë forcë që në të ardhmen të jeni më të vendosur dhe më të sigurt. Kësaj radhe me mençuri. Është shumë me rëndësi që t’ia vëni në dijeni, dhe ta bindni të zgjedhurin tuaj qysh më herët, se nuk jeni një lloj krijese që “merr fllad”, dhe se në asnjë rast nuk jeni për një lidhje kaluese, edhe pse ai këto fjalë do t’i merr sikur të jenë erë. Po që se kërkon situata, shërbehuni edhe me ndjenja, madje edhe me lot. Këtu mos taktizoni, sepse edhe pse meshkujt deklarohen se nuk i durojnë ato që qajnë, kur vjen puna te lotët, ata janë labilë, dhe të shumtën e rasteve edhe dorëzohen. Mundohuni që të tregoheni si të pandihmë, e në disa momente edhe si të humbura, me qëllim që tek ai ta krijoni bindjen se është i pazëvendësueshëm dhe se nuk mundeni pa të. Bëjini lajka mburrjeve të tij thuajse në çdo vend, por me kujdes të madh, sepse shumë prej tyre edhe nuk i kapërdijnë fjalët tuaja, gjë që mund t’ju sjellin në pozita të palakmueshme për juve. Për të mos ardhur pa nevojë në pozita të padëshiruara, mos filozofoni shumë. Është fakt që meshkujt i dojnë femrat e mençura, ama jo në shoqërinë e tyre, dhe punët mund të shkojnë më së keqi kur vjen deri te konstatimi se gjërat i bëni shumë më mirë se ai; këtë ai kurrë nuk jua falë. Nuk duhet nxituar që përparësitë tuaja t’i hedhni në lojë qysh në fillim. Duhet të jeni të mistifikuar dhe të papërcaktuar, duke lejuar që gradualisht t’ju zbulojë ai në qetësi. Lëshohuni dhe kënaquni në çdo përvojë të re, mirëpo gjithë atë kohë mbajeni në mend, sepse kur më së paku pritni, mund t’ju kthehen në data me rëndësi.

Si e humbët?

Në fillim as që mund të besoni se ai ju ka lënë. Habia më e madhe fillon menjëherë me fjalët që përsëriten dhe ju sillen brenda koke sikur të jenë të incizuara në pllakë të grithur gramafoni: “si ka mundur, … si ndodhi, … a thua vërtet ka mundur…”. Në fund vjen edhe deri te konfuzioni i plotë – ku me një shpejtësi të madhe ndërrohen dëshpërimi, hidhërimi, inati, urrejtja, zhgënjimi, pendimi… e nëse në ndërkohë nuk çmendeni, më në fund e kuptoni se, megjithatë, ai ju paska lënë. Këtu e keni rastin që të bindeni se sa i urreni meshkujt, dhe po ashtu e keni rastin që të betoheni (ndoshta prapë) se kurrë më, ama bash kurrë, nuk do t’ia jepni rastin më.

Periudha e mundimeve intenzive kursesi s’mund t’ju largohet, e pasi që duhet të vuani ca kohë, atëherë mundohuni që të mos gjendeni së paku afër telefonit, sepse ai është rrezik i fshehur. “A thua do të cingërojë” – gjithnjë do të mendoni, dhe nëse vërtet cingëron, atëherë brenda momentit ju lindin pyetje të panumërta: “athua është ai, mos vallë u pendua, ndoshta e pa gabimin e vet…”, e në fund vini edhe deri tek përfundimi i dhembshëm: “jo, nuk qenka ai”.

Pasi që definitivisht u pajtuat me të vërtetën se asgjë s’mbeti nga ajo lidhje, ju duhet që sa më parë, pa përtesë, t’i fshini, edhe atë në mënyrë mazohiste, të gjitha kujtimet që ju lidhin me të. Kjo për të mos i lënë mendimet e përgjysmuara në episode, dhe një gjë e këtillë është e domosdoshme, pasi qysh në epokën e romancës këto gjëra qenë të përballuara dhe të tejkaluara për t’ia vënë vetes pyetjen: “athua do të më lajmërohet ndonjëherë?”

Në fund, puna qëndron pikërisht aty se mendoni se u keni dhënë fund të gjitha kombinimeve të mundshme, kështu që mbeti të shpresoni në ndonjë kombinim që ende s’ju ka shkuar ndërmend e që mund t’ju sjell fat.

Në ndërkohë, deri sa të vijë ai kombinim, në pritje e sipër, mos i zgurdulloni më sytë në telefon dhe edhe më tej lexojeni revistën tuaj të dashur.

E pra, ju lumtë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s