Albert Vataj_Tërfili për fat, trëndafili për të lindur fëmijë të bukur

Me siguri se edhe skeptikët më të përbetuar, në ditët e hershme të rinisë së tyre, atëbotë, të goditur nga shigjeta e Amorit, me dëshirë i besonin gjethes së bagremit (driza e butë), duke e pyetur “më do, s’më do…”.

Njeriu gati gjithmonë ka bërë përpjekje që t’i përcjellë shenjat dhe porositë e fshehta shumëkund, dhe këto më pastaj t’ia përcjellë gjeneratave pasardhëse përmes traditës, zakoneve e riteve. E tëra kjo, dhe të tjerat besëtytni, me siguri lindën si nevojë e njeriut që në situatat e zakonshme ta ketë një shkop magjik që do t’ia rregullonte jetën. E ky shkop magjik, në veçanti do t’i nevojitej gjinisë femërore, për ndoshta ndonjë simpati të fshehtë, për martesë të lumtur, shëndet, punë etj. Ashtu si premtuam në numrin e kaluar, ne do t’ju përshkruajmë këtu disa besëtytni që lidhen me bimët e ndryshme te ne dhe në botë. Për dikë ndoshta ndonjëra do të shërbejë si shkop magjik, për tjetrin… Sidoqoftë, ju dëshiroj argëtim të këndshëm.

Si të dashurohet marrëzishëm

Kudo në botë, si dhe mes nesh, ekziston bindja se nëse dikush gjen tërfilin me katër gjethe, do të ketë fat të pakufishëm. Populli kudo në Kosovë thoshte “Ai çi xhanë tërfojë me katër fletë ka igball”. Studentët, tërfilin e gjetur me katër gjethe e vendosin në indeks. Nxënësit, nëpër fletore, përveç zemrës, e vizatojnë edhe tërfilin me katër gjethe. Në djep, përveç dekorimeve të tjera, shpesh haset edhe tërfili me katër gjethe. Shumëkund në Kosovë besohet se e mbron fëmijën nga “syri i keq”. Në vazhdim po ju përshkruajmë një ritual besëtytë që aplikohet ndër shqiptarë e që ka të bëjë me tërfilin me 4 gjethe dhe dashurinë. Për të bërë që të dashurohet në juve personi, të cilit ia keni hedhur syrin, gjejeni një tërfil me katër gjethe dhe jepjani priftit që ta vendos në potir me oste (potir – kupë për verë; oste – nafora në kishën katolike, vër. jonë), për 39 ditë. Ditën e katërdhjetë prifti ju kthen tërfilin dhe ju bekon. Me atë tërfil, kur e prekni personin që e doni, ai do të dashurohet marrëzisht në juve. Për ju që nuk keni fat ta gjeni tërfilin me katër gjethe, ja një mundësi tjetër për ta bërë për vete njeriun që e simpatizoni fshehurazi. Merrni (natën vonë) tre lule të barpezmit me njëmijë gjethe, vendosni në një strajcë dhe mbani me vete gjersa ta takoni personin që e simpatizoni. Sipas një bindjeje, në ishullin Rodos, besonin se Venera, pasi që kishte dalë nga deti, ishte shtrirë pranë barpezmit me njëmijë gjethe dhe ia kishte dhuruar forcën e zgjimit të ndjeshmërisë. Kjo lule, njëherit ishte lulja më e dashur e konteshës nga Castiglionea, e cila ia pushtoi zemrën Napoleonit të III-të. Edhe romakët e konsideronin barpezmin (Achilea milefolium) si bimë të shenjtë dhe nga ajo prodhonin pije të dashurisë.

Për të gjithë ata që mendojnë se nuk e kanë besnik partnerin, ja një ritual të njohur në Siri, Egjipt dhe Kinë. Ditën më të gjatë të vitit (21. Qershor), në një arë me drithëra, merrni disa kallinj gruri dhe një grusht lulëkuqe (lule bozhure). Në të vendosni edhe gjethet e gardenit (gardenia florida), ose në vend të tyre ato të bagremit (drizës së butë). Së bashku me fotografinë e të dashurit, kërcellin e bimës lulëkuqe duhet ta vendosni në libër. Lulet dhe gjethet e saj vendosen në strajcë të lirit së bashku me grurin dhe bagremin. Strajcën e lini në dërrasë të dritares për një muaj lunar (28 ditë). Ndikimi i tyre do t’ju qetësojë dhe më qartë do ta shihni situatën. Gruri është simbol i pjellshmërisë, ndërsa bagremi apo gardeni simbolizojnë dashurinë jo të sigurt (më do, s’më do…). Gruri sjell harmoninë e humbur. Gjatë këtij cikli lunar, partneri do të bëhet vetëm i juaji.

Legjendat e dashurisë: “Hasan Aga dhe Qika Potureshë”

Në Llap dhe kudo tjetër nëpër vise të banuara me shqiptarë, ekzistonte bindja se kaça (trëndafili i egër) është krijuar si pengesë që t’i ndajë varret e çiftit të dashuruar. Ja se ç’thotë kjo gojëdhënë që këndohej edhe si këngë: “Kaça osht dalë pej vorrit t’Plakës! Plaka o kanë nana e Hasan Agës, i cili ja kish’ pa’dhanë besën Çikës Potureshë po nana e ti ja muer ni grue tjetër, e Hasan Aga, masi çi e çkruen ni letër n’sobë t’vet, para syve t’nusës e vret vehtën. T’nesret kur e sheh Qika Potureshë tue e çue te vorret edhe ajo vret vehten, e të dyt i shtien n’dhe ngatangat. Pej zemnës s’plast edhe nana e Hasan Agës des dhe len amanet me e shti n’dhe nermjet t’birit e Çikës Potureshë (veç mos me i lanë bashk, as n’at dyje!). Pej Plakës osht bi kaça; kaça gjithmonë i çet lulat ngatangat, po nermjet lulave del dega me therra çi s’i len (lulat) me u bashkue!”

Edhe shumë bindje dhe gojëdhëna janë të lidhura me trëndafilin e egër. Në vazhdim po i jap disa që kanë të bëjnë me trëndafilin e butë të kultivuar. Në Myzeqe ishte zakon që posa të zbriste nusja nga kali, dhëndëri e qëllonte me trëndafil në kokë mbi duvak, tre herë. Qëllimi i kësaj ishte që ajo të sillej mirë dhe të lindë fëmijë të bukur si trëndafili. Po ashtu në këto treva, pasi që e pagëzonin foshnjën, e linin të palarë tre ditë, ngase besonin se i lahej krezmi. Krezmi paraqet vajin e shenjtë e që përdoret për shërbesa fetare te katolikët. Ditën e tretë e lanin fëmijën dhe ujin e derdhnin te rrënja e trëndafilit, aty ku nuk shkel këmba e njeriut, që të mos shkelet krezmi i foshnjës si dhe që ai trëndafil të çelë e të bëhet i bukur si që është. Edhe të sëmurin nga epilepsia (sëmundja e tokës si i thotë populli), e lanin dhe ujin e derdhnin te rrënja e trëndafilit, që i sëmuri të bëhej i shëndetshëm si trëndafili, ndërsa sëmundjen ta merr toka. Ndër besimtarët myslimanë ekziston bindja se nga secila pikë e djersës së Muhamedit a.s. ka mbirë një trëndafil i butë me aromë të këndshme.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s